BRUKSEL – BE marrëveshje për të ndërprerë gradualisht importet e gazit rus deri në vitin 2027

BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH/- Këshilli Evropian njoftoi sot se ka arritur një marrëveshje me Parlamentin Evropian për të hequr gradualisht të gjitha importet e gazit rus deri në vitin 2027, duke shënuar një hap të madh në përpjekjet e BE-së për t’i dhënë fund varësisë së saj nga energjia ruse, sipas “Reuters”.
Sipas marrëveshjes, blloku do të prezantojë një ndalim gradual dhe ligjërisht të detyrueshëm për furnizimet ruse me energji.
Importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia do të ndalohen plotësisht deri në fund të vitit 2026, ndërsa gazi i tubacioneve do të hiqet gradualisht deri në vjeshtën e vitit 2027.
Ky veprim vjen ndërsa BE vazhdon të reduktojë varësinë e saj nga energjia ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.
Që nga tetori, gazi rus përbënte vetëm 12% të importeve të BE-së, një rënie e ndjeshme krahasuar me 45% para luftës.
Pavarësisht rënies, disa vende – përfshirë Hungarinë, Francën dhe Belgjikën – ende marrin gaz rus.
Marrëveshja tani do të kalojë nëpër hapat e miratimit përfundimtar para zbatimit. //a.i/