E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Kallas: Të rritet presioni mbi Izraelin dhe të vendosen sanksione ndaj kolonëve izraelitë

BRUKSEL, 17 shtator /ATSH/-Bashkimi Evropian paraqiti sot planin e tij më të ashpër deri më tani – për të ushtruar presion mbi Izraelin – që t’i japë fund luftës në Gazë – ndërsa palestinezët largohen masivisht nga tanket, dronët dhe trupat izraelite – që po avancojnë më thellë në enklavën bregdetare – të shkatërruar nga 23 muaj lufte, sipas AP.

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, u kërkoi 27 vendeve anëtare të rrisin tarifat për disa mallra izraelite dhe të vendosin sanksione ndaj kolonëve izraelitë – si dhe ndaj dy anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Benjamin Netanyahu – ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave, Bezalel Smotrich.

Ajo gjithashtu propozoi sanksionimin e 10 udhëheqësve të Hamasit.

“Ne po propozojmë këto masa jo për të ndëshkuar Izraelin ose popullin e Izraelit, por për të ushtruar presion mbi qeverinë izraelite që të ndryshojë kursin – dhe t’i japë fund vuajtjeve njerëzore në Gazë”, tha Kallas në një konferencë për shtyp në Bruksel.

“Lufta duhet të marrë fund, vuajtjet duhet të ndalen dhe të gjithë pengjet duhet të lirohen”, shtoi ajo.

Sanksionet do të ngrijnë çdo pasuri evropiane të individëve dhe do të ndalojnë udhëtimin brenda BE-së.

BE-ja është partneri më i madh tregtar i Izraelit, kështu që tarifat mund të kenë efekte të gjera në ekonominë e Izraelit – e cila është tashmë e tronditur nga kostoja e një lufte të gjatë.

Afërsisht 32 milionë euro të fondeve dypalëshe – të kontrolluara nga Komisioni Evropian – do të pezullohen menjëherë. Komisioni gjithashtu po i jep mbështetje Autoritetit Palestinez.

Sanksionet e propozuara pasqyrojnë përkeqësimin e marrëdhënieve midis Evropës dhe Izraelit.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shkëput nga qëndrimi i saj i fortë pro-Izraelit – duke bërë thirrje për presion evropian mbi Izraelin – për shkak të fushatës së tij ushtarake në Gazë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar i dërgoi një letër Von der Leyen – duke e akuzuar për fuqizimin e një organizate terroriste dhe duke u zotuar se Izraeli do t’i kundërvihej fushatës evropiane.

“Presioni përmes sanksioneve nuk do të funksionojë. Shteti i Izraelit është një komb krenar sovran dhe ne nuk do të nënshtrohet ndaj kërcënimeve ndërsa siguria e Izraelit është në rrezik”, shkroi ai në letër. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›