BRUKSEL – NATO konfirmon praninë e ushtarëve koreano-veriorë në Rusi

BRUKSEL/KIEV, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Mbi 600 000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, tha sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Rutte konfirmoi gjithashtu vendosjen e ushtarëve të Koresë së Veriut për të luftuar në anën ruse në Kursk, një rajon i pushtuar nga Ukraina.
Dëshmitë e pranisë së ushtarëve në Rusi janë krijuar gjatë javëve të fundit.
“Dislokimi është një shenjë e dëshpërimit në rritje të presidentit rus Vladimir Putin”, tha Rutte, duke shtuar se Putini “nuk është në gjendje të mbajë sulmin e tij në Ukrainë pa mbështetjen e huaj”.
Rutte denoncoi “thellimin e bashkëpunimit ushtarak” midis Moskës dhe Phenianit dhe u bëri thirrje demokracive të mbështesin vlerat e tyre të përbashkëta dhe të mbështesin Ukrainën.
“Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të mbështesin një Ukrainë të lirë dhe demokratike, sepse siguria e Ukrainës është siguria jonë”, tha ai.
NATO priti një delegacion zyrtarësh të shërbimeve sekrete të Koresë së Jugut dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes në selinë e aleancës ushtarake për një informim mbi situatën për të konfirmuar vendosjen.
“Përfshirja e ushtarëve të Koresë së Veriut minon paqen në Gadishullin Korean dhe nxit luftën ruse kundër Ukrainës”, tha Rutte.
“NATO i bën thirrje Koresë së Veriut dhe Rusisë që të ndërpresin menjëherë këto veprime”, theksoi ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin konfirmoi gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara kishin prova se trupat e Koresë së Veriut janë në Rusi, por se ende nuk është e qartë se çfarë po bëjnë”./ /os/