BRUKSEL – Orban & Wilders: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët një model shumë i mirë

BRUKSEL, 17 tetor /ATSH-ANSA/ – Kryeministri hungarez, Victor Orban dhe lideri i Partisë holandeze të Lirisë, Gert Wilders deklaruan sot se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është shumë e mirë, ndërkohë që përshëndetën Romën dhe Tiranën për këtë.
”Marrëveshja mes Romës dhe Tiranës për emigrantët është e mirë: urime Italisë!”, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban teksa mbërriti në samitin e parë të Patriotëve (Patriots for Europe), grupimi i tretë më i madh politik në Parlamentin Evropian, në selinë e përfaqësisë hungareze në Bruksel.
“Italia po dërgon njerëz në Shqipëri dhe për ne është një model i mirë, një shembull i mirë”, tha nga ana e tij Wilders.
”Ne në Holandë po mendojmë të bëjmë një gjë të ngjashme në Ugandë. Ka një erë të re në Evropë lidhur me emigrantët që po fryn gjithnjë e më e fortë dhe shpresoj se gjërat do të ndryshojnë”, shtoi ai.
”Jam krenar që Italia e ka bërë këtë hap, do të jetë e suksesshme”, theksoi Geert Wilders, lideri i PVV holandeze.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha dje se ”operacioni i transferimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri po shkakton diskutime në opozitë, por më duket se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë u mor si shembull edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”.
”Në letrën drejtuar komisionerëve ajo tha se duhet kuptuar si një shembull pozitiv për të trajtuar çështjen e emigrantëve”, theksoi ai.
”Kujtojmë se të dy qendrat do të administrohen nga autoritetet italiane. Pra, është një investim për të luftuar emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore dhe për të dërguar në vendet e origjinës të gjitha ata që nuk do të kenë të drejtë të futen në Itali”, shtoi Tajani.
”Kjo është një zgjedhje konkrete dhe e guximshme, e cila mbledh konsensusin në Bashkimin Evropian”, shtoi Tajani, në emisionin No Stop News në Rtl 102.5 duke folur për qendrën e paraburgimit të emigrantëve në Shqipëri./ a.jor.