E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: Falënderoj Trumpin për përpjekjet për fëmijët ukrainas

BRUKSEL, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen falënderoi presidentin e SHBA-së Donald Trump për përpjekjet e tij për të kthyer fëmijët e rrëmbyer nga Ukraina.

Në një deklaratë të publikuar në X, von der Leyen falënderoi Trump për “angazhimin e tij të qartë për të siguruar që këta fëmijë të mund të ribashkohen me të dashurit e tyre”.

“Kostoja njerëzore e kësaj lufte duhet të marrë fund. Dhe kjo do të thotë që çdo fëmijë ukrainas i rrëmbyer nga Rusia duhet t’u kthehet familjeve të tyre”, tha ajo pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Trump, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë.

Më parë, Trump kishte shkruar në platformën e tij Truth Social se ata diskutuan “problemin e madh global të fëmijëve të zhdukur”.

Ai tha se kjo ishte një çështje e rëndësishme për të dhe Zonjën e Parë Melania Trump.

Në fillim të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Zelensky i dorëzoi Melania Trump një letër nga gruaja e tij, Olena, duke e falënderuar atë që i shkroi presidentit rus Vladimir Putin në lidhje me rrëmbimin e fëmijëve ukrainas./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›