BRUKSEL – Zelensky kritikon në mënyrë indirekte Hungarinë për bllokimin e anëtarësimit të Ukrainës në BE

BRUKSEL, 20 mars /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kritikoi sot në mënyrë indirekte bllokadën e Hungarisë për pranimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, duke thënë se është “anti-evropiane” që një vend të bllokojë vendimet që prekin të gjithë në kontinent.
“Është thjesht anti-evropiane kur një person bllokon vendime që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose për të cilat tashmë është rënë dakord”, tha ai në një lidhje me video me samitin e liderëve të BE-së sot, në Bruksel.
Zelensky nuk përmendi asnjë vend me emër, por Hungaria kohët e fundit ka penguar deklaratat e përbashkëta të BE-së për Ukrainën. Për më tepër, kryeministri hungarez Viktor Orban ka kritikuar vazhdimisht bisedimet e pranimit të Ukrainës me BE-në.
BE hapi negociatat e pranimit me Ukrainën vitin e kaluar. Por Zelensky tha se ndërsa Ukraina kishte përmbushur kërkesat për bisedime të mëtejshme, ka pasur vështirësi të konsiderueshme për të bërë progres.
Udhëheqësi ukrainas paralajmëroi gjithashtu se Rusisë nuk mund t’i besohet.
“Moska shpesh premton diçka dhe disa orë më vonë kjo nuk do të thotë asgjë”, tha ai, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë duhet të vazhdonte pavarësisht iniciativave diplomatike të paqes.
Ai vuri në dukje sulmet e rënda të dronëve rusë në qytetin ukrainas të Kropyvnytskyi gjatë natës, të cilat rezultuan në viktima.
Ai tha se ka pasur bisedime konstruktive me presidentin amerikan, Donald Trump të mërkurën për negociatat e ardhshme midis dy vendeve në Arabinë Saudite. //a.i/.