E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai im u vra sepse e spiunoi ky njeri

Share

Është një nga kapitujt e errët të ndarjes së Gjermanisë. Përpara 50 vitesh, Siegfried Noffke, 22 vjeç, u vra nga STASI. Me miqtë e tij ai kishte planifikuar që të merrte gruan dhe djalin e tij 1 vjeç nga Berlini Lindor, në atë Perëndimor.

Por një spiun i STASI-t tregoi planin e arratisë. Sot e kësaj dite ai nuk ka dalë përpara drejtësisë.

BILD gjeti djalin e viktimës dhe burrin që spiunoi.

Nuk kam bërë asgjë. Nuk kam qëlluar. Gjithë kjo histori ka shumë kohë që ka ndodhur, thotë spiuni Ernst Juergen H., pseudonimi Pankow.

Gjithçka mbaj mend nga babai janë fotot. Di shumë pak për të dhe kjo më shkakton dhimbje, thotë Rainer Wagner, 51 vjeç, biri i të vrarit.

Por si ishte historia.

Ishte ora 12:15 e datës 28 qershor 1962. Pas shumë përgatitjesh që zgjatën për javë, Siegfried Noffke dhe miku i tij, Diete Hoetger, arritën të hyjnë në një tunel në rrugën Heinrich Heine në Berlinin Lindor. Por ndihmësit e arratisë nga Perëndimi nuk i priste gruaja e Noffke-s, Hannelore dhe biri Rainer, por STASI. Ata hapën zjarr menjëherë. Hoettger mbijetoi i plagosur rëndë. Siegfried vdiq rrugës për në spital.

Planet e tyre të arratisë ishin spiunuar nga Ernst- Juergen H, nëpunës jozyrtar i STASI. Shpërblimi për këtë spiunllëk ishte 3 mijë marka të Gjermanisë Lindore dhe Medalja e Shërbimit e Ushtrisë Popullore në ar.

Sot spiuni jeton në një lagje në Berlin. Në atë kohë spiunimi nuk ishte krim, ndërsa pas marrëveshjes së bashkimit të dy Gjermanive, ai nuk mund të ndiqet kurrë për këtë krim.

Po familja e të vrarit Siegfried Noffke?

Gruaja e tij u arrestua pas tentativës së dështuar për arratisje. Djalin e vogël e rriti gjyshja. Pati fat se nuk shkoi në jetimore, por mamaja e tij e pa për herë të parë kur ai mbushi gjashtë vjeç. Edhe pas lirimit nga burgu, ajo ishte e rrënuar. Në vitin 1971 u sëmur nga një sklerozë e shumëfishtë.

Djali i saj thotë: Kur mbushi dyzet vjeç, ajo u detyrua të shtrohej në një shtëpi kujdesi. Unë besoj se sëmundjen ia solli shkatërrimi nervor në burg dhe dëshpërimi pas vdekjes së babait. Para gjashtë vitesh ajo vdiq.

Rënien e murit ajo e përjetoi, por nuk u bë kurrë e lumtur.

*BILD

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›