E Diel, 1 Nëntor 2026

Baji: Reshje bore dhe shiu në qarkun e Kukësit, rrugët kombëtare të kalueshme

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ I gjithë territori i qarkut të Kukësit është përfshirë nga reshje dëbore dhe shiu me intensitet mesatar.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë natës për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre, duke bërë të mundur që të gjitha rrugët nacionale të jenë të qarkullueshme”.

Sipas tij, në Valbonë trashësia e borës ka arritur deri në 10 centimetra.

“Në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë deri tani nuk ka pasur asnjë situatë emergjente apo problematikë të shkaktuar nga moti. I gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç 39 abonentëve në fshatin Llugaj, njësia administrative Llugaj, bashkia Tropojë, ku vijon puna për rikthimin e furnizimit”, tha Baji.

Në aksin Kukës-Shishtavec gjatë natës ka pasur reshje bore ku është punuar për pastrimin dhe hedhjen e kripës, ndërsa qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.

Furnizimi me ujë të pijshëm kryhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.

1 nga 5

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›