Bakshishi: Kultura e lënies së tij në vende të ndryshme të botës
Të lësh apo të mos lësh bakshish? Në shtete të caktuara është i detyrueshëm, në të tjera fakultativ, por në disa shtete edhe ofendues për atë që i ofrohet
Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, bakshish quhen të hollat që i jepen dikujt për shërbime të vogla mbi vlerën e punës që bën. Të dhënit bakshish është i ndryshëm në kultura dhe shërbime të ndryshme. Në disa rrethana, si për shembull te punonjësit e administratës, të pranosh këtë sasi të hollash konsiderohet e paligjshme. Në disa vende, të japësh bakshish është normë, disa punëdhënës i paguajnë punëtorët e tyre duke llogaritur edhe shtesat e bakshisheve që do të marrin.
Një numër ekonomistësh mendojnë se bakshishi është ekonomikisht i paefektshëm. Ai lidhet edhe me paragjykime racore, pasi minoritetet shprehen se janë më pak të aftë të paguajnë sasi të mëdha bakshishi. Në këtë mënyrë ata tregohen haptazi më të varfër dhe kjo gjë nuk u pëlqen. Studime të tjera shprehen se bakshishi përmban nota të racizmit, pasi pakicat etnike ankohen se për shërbimet e tyre u japin më pak sesa vendasve. Korrupsioni dhe ryshfeti shpesh justifikohen pas veprimit të lënies bakshish, por është e qartë se të dyja ato janë të një shkalle më të sofistikuar, që lidhen me shpërblime shumë herë më të larta sesa shërbimi.
Bakshishi është më tepër i lidhur me shërbime si restorantet dhe kafenetë, ku përshkruhet si jo i detyrueshëm, por që në vetvete është pothuajse një detyrim. Ja si duhet të veproni në shtete të ndryshme të botës për lënien e bakshishit.
Në SHBA dhe Kanada, si të gjitha të ardhurat e tjera, bakshishi është një e ardhur që taksohet dhe që duhet të deklarohet. Zakonisht në Kanada, pronarët e bizneseve dhe stafi i tyre nuk merr bakshish dhe nuk ka një sasi, për shembull prej 10 për qind të faturës, që është e detyrueshme të lihet pas shërbimit.
Në Shtetet e Bashkuara lënia e bakshishit është një zakon i përhapur gjerësisht në shoqëri. Përgjithësisht jepet për shërbime si restorantet, në kurset e golfit, në kazino, në hotele, në shpërndarjen e ushqimit, në taksi dhe në sallonet e bukurisë. Për pjesën më të madhe të shekullit XX, marrja e bakshishit ishte një sjellje jo e hijshme për personat që drejtonin apo ishin pjesë e institucioneve, por në shekullin ku jetojmë, kjo është bërë një domosdoshmëri për të gjitha shërbimet.
Në Kinë, zakonisht bakshishi nuk ekziston, përjashtim bëjnë Hong-Kongu, Macau dhe Tajvani. Megjithatë në hotelet ku u shërbehet të huajve, bakshishi mund të jetë i lejueshëm.
Në Indi, lënia e bakshishit nuk është një detyrim i konsumatorit, pavarësisht se kohët e sotme është një praktikë gjerësisht e shpërndarë. Në lokalet e kategorive të mesme, bakshishi nuk është diçka që pritet, por në ato të shkallës së lartë ai varion nga 10-15 për qind të faturës. Në Indi, bakshishi aplikohet për punët që kanë të bëjnë me shërbimin manual, si për shembull portierët dhe shërbëtorët e hoteleve. Në këtë vend nuk ka shumë rëndësi sasia e bakshishit, pasi ecet me mendimin më mirë pak, se asgjë.
Në Izrael, bakshishi është diçka që vihet re në bare dhe restorante, varion nga 10-12 për qind.
Në Japoni, dhënia e bakshishit nuk është pjesë e kulturës së vendit. Japonezët nuk ndihen rehat kur atyre u jepet bakshish, në këtë rast ata ndihen konfuzë, vihen në siklet dhe ka shumë mundësi të refuzojnë.
Në Jordani, bakshishi është pjesë e kulturës vendase dhe haset gjerësisht në restorante, hotele, taksi, dyqane dhe bare. Nëse jeni një klient i rregull i një lokali, sasia e bakshishit që do të lini pritet të jetë nga 5-36 për qind. Ai quhet baksheesh dhe u jepet punëtorëve, me qëllim që të përmirësojnë shërbimin ose si shpërblim për punën e tyre. Për nëpunësit, policët dhe ushtarakët cilësohet si e paligjshme të marrësh bakshish.
Në Malajzi, lënia e bakshishit nuk është e zakonshme, megjithatë të huajt mund të paguajnë një sasi të vogël parash, sipas dëshirës, sidomos nëse shërbimi ka qenë veçanërisht i mirë. Në restorantet shumë të mira ekziston një taksë prej 6 për qind e vendosur nga qeveria dhe shpesh mund të hasni bashkë me faturën tuaj edhe një shtesë prej 10 për qind për shërbimin.
Në Pakistan, bakshishi nuk është një normë shoqërore dhe si pasojë nuk është i detyrueshëm në bizneset e vogla. Kur bie fjala për bizneset e shkallës së lartë, siç mund të jenë shërbimet e ushqimit, ndodh që konsumatorët të lënë bakshishe shumë bujare. Këto janë zakonisht nga 5-10 për qind mbi shumën e faturës.
Në Singapor, bakshishi nuk është shumë i përhapur. Në bare dhe restorante përgjithësisht vihet një shtesë prej 10 për qind që shkon për shërbimin, pavarësisht se nuk i jepet stafit që shërben. Zakonisht bakshishi jepet për taksi dhe në kafene.
Në Korenë Jugore, lënia e bakshishit nuk është e detyrueshme në restorante, hotele apo taksi. Madje ai cilësohet si veprim shpërqendrues.
Në Tailandë, një sasi e vogël bakshishi lihet zakonisht në restorante. Të marrësh qindarkat kur ke paguar një faturë të majme, konsiderohet e pasjellshme. Nuk është e detyrueshme një përqindje e caktuar, por ama shihet si një veprim që duhet të bëhet.
Në Turqi, bakshishi ka kuptimin e dhuratës, nuk është i detyrueshëm dhe nëpër restorante jepen nga 5-10 për qind. Një bakshish i vogël i lihet portierit, ndërsa shoferët e taksive, nuk presin që ti lihet ndonjë e hollë.
Në Australi, bakshishi nuk është zakon vendas. Minimumi i rrogave atje është zakonisht 15.96 dollarë për orë. Veprimi i lënies së bakshishit në çdo lloj biznesi konsiderohet si jo i zakonshëm. Kazinotë në Australi e ndalojnë bakshishin për stafin e tyre, pasi ai konceptohet si ryshfet.
Në Zelandën e Re, bakshishi është një zakon i ri që po krijohet kohët e fundit dhe që varion nga 10-15 për qind. Turistët e ardhur nga vende që e kanë shumë të zhvilluar bakshishin si SHBA-ja, e kanë kultivuar këtë veprim në Zelandën e Re. Bakshishi jepet si shpërblim për një shërbim të kryer shumë mirë ose kur dikush ka dëshirë ta dhurojë. Në guidat turistike të Zelandës së Re shkruhet se bakshishi nuk është i detyrueshëm as në bare dhe as në restorante.
Në Kili, bakshishi është i përhapur si një sasi 1