E Enjte, 5 Nëntor 2026

Balla – opozitës: Falë drejtësisë keni mundësinë për të larguar komunizmin brenda partisë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Deputetët e Kuvendit kanë debatuar sot në seancën plenare lidhur me raportin vjetor të veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023.

Deputetin e Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti kërkoi një minutë heshtje për viktimat e komunizmit të cilët ende nuk dihet se ku janë trupat dhe janë pa varre.

Duke iu drejtuar deputetëve të PS, Alizoti tha se duan ta trajtojnë komunizmin në mënyrë folklorike.

Në replikë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se opozita sot, falë edhe drejtësisë ka mundësinë më të mirë për të larguar komunizmin nga brenda partisë.

Balla u shpreh se një pjesë e opozitës sot në krye të saj ka personin që ka përfituar më shumë se askush tjetër nga komunizmi.

“Kuvendi i Shqipërisë ka një rregullore të miratuar me konsensus të plotë. Kërkesa për minutën e heshtjes është kërkesa më solemne që ka kjo sallë. Të nisësh fjalën, që s’ka deputetë në sallë, pra të konstatosh mungesën e seriozitetit dhe ta mbyllësh fjalën me kërkesë për të kërkuar 1 minutë heshtje është tallja më e madhe që mund t’i bësh atyre për të cilët kjo sallë këtu duhet të jetë plot me 140 vetë, të çuar të gjithë në këmbë, me himnin e flamurit dhe për t’i mbajtur minutën e heshtjes, ta bëjmë të plotë 60 sekonda”, tha Balla, duke iu përgjigjur Alizotit.

“Mund të them me qindra herë fjalën në këtë sallë këtu për të dënuar sa herë të kemi mundësi krimet e komunizmit. Ato dënohen kur të paktën distancohemi nga ata që ia kanë parë hajrin komunizmit. Ky që sapo foli është modeli më i keq i atyre, që familjarët e atyre që kanë vuajtur komunizmin në kurriz, ky shkon ditë për ditë poshtë ballkonit të sekretarit të partisë, që ia ka parë hajrin komunizmit më shumë se të gjithë ne këtu. Nuk ke këtu asnjëri prej nesh, që babai të ishte në varkën personale të Enver Hoxhës. Pas 33 vitesh, ju keni mundësi të artë, që s’e bëtë dot, por po ua bën drejtësia, të largoni komunistin nga kreu i partisë dhe komunizmin nga brenda partisë”, përfundoi Balla.

Deputeti i PD, Tomorr Alizoti në fjalën e tij tha se minutazhi i rezervuar ndaj një personi që ka vuajtur krimet e komunizmit mbi supe nuk ishte i drejtë. “Kam parë babanë tim në burg kur isha 3-vjeç”, tha Alizoti. “S’mund të flas 5 minuta për 5000 krime të komunizmit”, tha ai, teksa kërkoi dhe 1 minutë heshtje për viktimat e sistemit diktatorial.

Më tej, Alizoti tha se “po të ishim në Hungari, Poloni, Estoni, sot salla e Kuvendit do ishte plot me njerëz që diskutonin për një mallkim që i ndodhi një populli të vogël. Më vjen shumë keq, sot ndihem keq mbase edhe nga ana emocionale. Unë i kam bredhur kampet e përqendrimit, unë kam qenë në Spaç që fëmijë i vogël, kam qenë në Qafë Bari, kam qenë në Burrel. E kam parë babën tim në moshën 3-vjeçare në kampin e Spaçit, kjo më ka bërë që të filloj nga ana emocionale të merrem edhe me Aushvicin. Si mundet Partia Socialiste që pas 33 vitesh, në këto tema të paktën heshtni ose mos të flisni? E dini ju që asnjë pushtues në Shqipëri nuk ndërtoi kampe përqendrimi në këto përmasa, ky nuk është konflikt partiak, as folklorik”, tha Alizoti.

“Kjo është fatkeqësia e një kombi të vogël që mori një teori, një doktrinë që vinte nga Gjermania, u përpliua nga Lenini, nga Stalini, nga kriminelët më të mëdhenj të botës, që vranë miliona njerëz dhe ia sollën një populli të vogël. Sekretarët e Rinisë guxojnë sot të flasin për të vdekurit e Spaçit, të flasin sot për Tom Ndojën që i nxorën sytë dhe eksperimentuan, flasin sot për nënat që ngjitnin maloret e Spaçit, ju guxoni sot të flisni. Po ju duhet të heshtni për 1 mijë vjet për ca i keni bërë këtij kombi. Më jepni 5 minuta të flas për 500 mijë vuajtje të kombit shqiptar, për Qafën e Barit. Po është mëkat, se i ka ndodh kombit shqiptar, nuk i ka ndodh Alizotit, se Alizoti është një individ. Ju lini sekretarin e Rinisë së Kohës të komunizmit, flisni këtu për antikomunizmin. Komunizmi arriti një gjë në Shqipëri dhe është i suksesshëm, prodhoi banalitet, ju prodhoi juve. Ju jeni banaliteti i Shqipërisë. Kolegë të nderuar, kush e ndjen, një minutë heshtje për ata që janë pa varre dhe i vrau komunizmi”, tha Alizoti.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›