E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balla-Berishës: PS, tetë rezoluta e deklarata sa i takon gjenocidit; Arrestove Adem Jasharin

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ “Po e do kombëtaren dhe këngën e Adem Jasharit, hajde në stadium ta këndojmë të gjithë bashkë.”

Kështu u shpreh sot ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla në përgjigje të kërkesës së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të miratuar një rezolutë kundër gjenocidit serb në Kosovë në prag të seancës së përbashkët të dy Kuvendeve në Prishtinë.

“Dua të komunikoj me publikun fakte historike. Në këto 33 vite Partia Socialiste sa herë që ka qenë në shumicë apo pakicë me votën e popullit shqiptar nuk ka çeduar asnjëherë sa i përket pozicionit në mbrojtje të çështjeve tona kombëtare. Janë tetë rezoluta dhe deklarata sa i takon gjenocidit dhe çdo lloj forme krimi ndaj vëllezërve dhe motrave tanë në Kosovë”, tha Balla.

Por, nga ana tjetër, ai rreshtoi të gjitha faktet që flasin kundër PD sa i takon qëndrimit ndaj Kosovës.

“Në 25 janar të vitit 2011 kanë qenë përfaqësuesit e PD në asamblenë e Këshillit të Europës që bashkuan votat me propozimin e Rusisë për atë që pasoi që ishte një përpjekje e poshtër për të hedhur baltë mbi luftën çlirimtare”, tha Balla, duke rikujtuar se PS dhe deputeti Shpëtim Idrizi votuan kundër, ndërsa tri votat e PD shkuan për draftin e Kosacevit, ai që sot është zv/kryetar të Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë.

“Ju, historikisht nuk keni qenë në krahun e duhur të historisë”, u tha ai deputetëve opozitarë.

“Nuk është rastësi që qoftë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, u zhvilluan pas vitit 2013 dhe mbledhjet e përbashkëta të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës me kryetar Kuvendi të kësaj shumice.

Prandaj populli e di mirë çfarë kontributi ka PS gjatë viteve ’98 – ’99, çfarë kontributi kanë ata që kur udhëheqësit e UÇK shkonin në Rambuje dikush udhëhiqte protesta kundër qeverisë këtu dhe kundër Rambujesë, dhe kush i thoshte Hashim Thaçit ‘bashkëpunëtor i Serbisë’ dhe me fjalë të tjera më të poshtra antishqiptare. Adem Jasharin e keni arrestuar ju këtu në Tiranë”, deklaroi ministri Balla në parlament. Ai sqaroi në fund edhe lajmet rreth ndalimit të këngës “Mora fjalë” në stadium, duke thënë se “kjo është hedhur poshtë nga Federata e Futbollit dhe është totalisht e pavërtetë”.

Nga ana e tij Berisha u shpreh se, arrestimi i Adem Jasharit është trillim serbo-shqiptar i turpshëm.

“Nuk ka ndodhur kurrë. U trajnua 1992-1993 dhe nuk është arrestuar kurrë në asnjë rast. Ata të cilët e hapën këtë shpifje e morën në Beograd dhe e sollën në Tiranë. Rezolutën e keni rrëzuar, e keni vonuar dy vjet. Votojeni sonte që të hiqni njollën e zezë kundër jush. Nuk po bëj politikë unë. Janë jetët e njerëzve shqiptarë që janë vrarë. Ju keni frikë nga Beogradi”, tha ai.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›