E Enjte, 5 Nëntor 2026

Balla: Emigrantët 60 ditë kohë për t’u regjistruar për të votuar, listat të hapura

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se procesi i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit do të jetë i hapur për rreth 60 ditë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, teksa foli për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, Balla tha se procesi do të hapet 120 ditë para zgjedhjeve dhe do të mbyllet 60 ditë para zgjedhjeve.

“Për herë të parë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë do të mund të votojnë nga vendi ku ata jetojnë, punojnë prej vitesh e studiojnë. Dhe kjo u mundësua falë vulosjes së kësaj të drejte në kodin zgjedhor miratuar nga Kuvendi në një votë konsensuale me përjashtim të ndonjë interesi të vogël”, tha Balla.

Sipas tij, shqiptarët e diasporës janë dhe do të mbeten kontributorë të mëdhenj të ekonomisë sonë kombëtare.

“Kanë qenë të tillë në këto 33 vite me dërgimin e remitancave, për të investuar në Shqipëri”, tha ai.

Nga ana tjetër, Balla ripërsëriti ftesën e qeverisë ndaj atyre që janë të gatshëm të investojnë. Përmes këtij akti normativ, theksoi ai, i japim mundësinë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ngritur regjistrin.

“Qeveria do të vijojë ta mbështesë përgjatë këtij viti dhe në buxhetin e vitit 2025 me të gjitha fondet e nevojshme për ngritjen e regjistrit”, tha ai.

Sipas Ballës, ata që kanë dëshirë të shprehën me votë të lirë se kush duan të qeverisë, duhet të regjistrohen.

“Ftoj qytetarët shqiptarë jashtë territorit për tu bërë pjesë e përzgjedhjes së drejtimit që doni të vijojë Shqipëria, deputetët që doni në Kuvendin e Shqipërisë, sepse listat do të vijojnë të jenë të hapura”, deklaroi ai.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›