E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Goditja e punonjësit të policisë përbën vepër të rëndë penale

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se qeveria po diskuton masa për kufizimin e disa të drejtave dhe përfitimeve për personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave, duke kritikuar njëkohësisht prokurorinë dhe gjykatën për mënyrën se si po i trajtojnë rastet e shënuara.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Balla tha se masat e paralajmëruara nga Kryeministri synojnë të vendosin pasoja edhe për personat që përfshihen në akte dhune, ndërsa sqaroi se propozimet janë ende në diskutim dhe se një komunikim më i qartë pritet të bëhet ditën e nesërme.

“Kryeministri sot ka bërë me dije disa masa që janë të ngjashme dhe që po merren në disa vende europiane lidhur me kufizimin e disa të drejtave për disa persona që angazhohen në akte dhune. Nëse një student i vë flakën Ministrisë së Arsimit, edhe pse penalisht nuk do të ndiqet, besoj se disa përfitime nuk do t’i ketë më. Nëse trajtohesh me bursë nga Ministria e Arsimit dhe përfshihesh në akte dhune kundër saj, minimalisht këtë bursë nuk do ta përfitosh më. Këto janë diskutime ende të qeverisë. Nuk jam i informuar se çfarë është duke diskutuar qeveria. Nesër do të kemi një komunikim më të qartë të të gjitha këtyre masave. Gjithçka është pjesë e diskutimeve. Personalisht mund të them se të gjithë ata që përfshihen në akte dhune duhet të kuptojnë se nuk do të përfitojnë disa liri që i kanë shkelur”, u shpreh Balla.

Ai kritikoi prokurorinë dhe gjykatën, duke pretenduar se ato nuk po veprojnë përballë shkeljeve të kryera gjatë protestave.

“E gjitha kjo vjen në kushtet kur ka një prokurori dhe një gjykatë që nuk vepron. Në ligjin e tubimeve, një prej neneve thotë se ndalohet pjesëmarrja në tubime me maskë dhe kjo dënohet me gjobë, deri në dy vjet burg. Kush e ka zbatuar këtë nga prokuroritë dhe nga gjykatat? Të gjithë ata që shkojnë me maskë aty janë duke thyer ligjin. Minimalisht me gjobë. Këtu po vidhen banka, po vidhen dyqane, po shkatërrohet prona publike dhe prona private. Një person i caktuar po kryen katër apo pesë vepra penale njëkohësisht”, deklaroi ai.

Balla u ndal edhe te përplasjet mes protestuesve dhe policisë, duke theksuar se sulmi ndaj punonjësve të rendit përbën vepër penale.

“Dua t’i flas çdo qytetari: goditja e punonjësit të policisë është vepër e rëndë penale, sepse kur ke goditur punonjësin e policisë ke goditur shtetin. Ne kemi përcaktuar si vepër penale edhe mosbindjen ndaj punonjësit të policisë”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së foli edhe për investimet në arsim dhe kushtet në konviktet studentore, të cilat i cilësoi të shkëlqyera. Ai bëri të ditur se të enjten ishte parashikuar të votohej një tjetër kredi për investime në konvikte.

“Ju garantoj që kushtet në konvikte janë të shkëlqyera. Dhe ditën e enjte duhet të votonim një kredi tjetër për të investuar në konvikte. Studentët do të sulmonin Kuvendin ditën që Kuvendi do të miratonte një kredi për konviktet”, u shpreh ai.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›