Balla: Institucionet e pavarura raportojnë në dy komisione, garantohet zbatimi i rezolutave të Kuvendit

TIRANË, 30 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se raportimi i institucioneve të pavarura në dy komisione në Kuvend do të garantojë zbatimin e detyrave që lë Kuvendi për këto institucione.
Në një komunikim me mediet nga selia e Kuvendit, Balla sqaroi se përveç komisionit të Ligjeve këto institucione do të raportojnë edhe në komisionin për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale.
Një komision të tillë, sipas Ballës, e kanë të gjitha parlamentet duke nisur nga Bundestagu, Parlamenti Europian dhe Kongresi Amerikan.
“Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, ku kemi ndarjen në 11 komisione. Kemi ngritur dhe komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale. Qytetarët më në fund kanë një ‘derë’ ku mund të depozitojnë çdo problematikë apo të ngrenë një çështje të caktuar, cila do të ndiqet me kujdes dhe prioritet”, u shpreh Balla.
Balla theksoi se Kuvendi i ka dhënë këtij komisioni edhe detyrën për të monitoruar edhe rezolutat, se si po i ndjekin institucionet e pavarura detyrat e lëna nga Kuvendi.
Kjo, sipas tij, do të bëjë që rezolutat e Kuvendit të mos jenë copa letre, por komisioni do të garantojë ndjekjen e tyre detyrave që përcaktohen atje në mënyrë periodike.
“Si kryetar grupi në tri legjislatura mund të them se historia e raportimeve në Kuvendin e Shqipërisë ka lënë shumë për të dëshiruar. Uroj që kjo legjislaturë e re të ofrojë një qasje të re në fazën që ndodhet Shqipëria, që të jemi vetëkritikë por edhe mbi bazën e problematikave të konstatuara ndër vite të kemi një qasje të re. I kemi dhënë këtij vendi ‘dy sy’ për të pasur përballë 30 institucione dhe për t’i kujtuar se çfarë nuk kanë bërë”, tha Balla.
Balla ftoi opozitën që të fillojë të mendojë një qasje të re për të bërë raportimin më të plotë dhe institucional, siç e kanë të gjitha parlamentet e tjera të vendeve të BE-së.
/a.f//r.e/