Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot ndaj lajmeve të rreme, te cilat theksoi ai përhapen me shpejtësi alarmante dhe dëmi që shkaktojnë është real.
“Dje në mbledhjen e grupit parlamentar fola edhe për dezinformimin. Besoj se të gjithë biem dakord se duhen krijuar instrumente në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht”, thekson Balla në një video-mesazh në rrjetet sociale.
“Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë”, shprehet Balla teksa shton se, “në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi”.
Balla nënvizon se, “çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës”.
“Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare”, thekson Balla.
Balla reagoi edhe ndaj kreut të PD, Sali Berisha. “Kishte dalë edhe bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit, meqë dhe ai lajmi i mbrëmshëm kishte qenë i rremë”, tha Balla.
“Lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për tu trajtuar”, tha Balla.
Ky reagim vjen pas aludimeve të portaleve që një nga familjarët e tij kishte lidhje me call center-in që u bllokua nga SPAK.
/gj.m/