Balla: Investimi në Zvërnec duhet të realizohet duke respektuar të gjitha standardet mjedisore

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se investimi në Zvërnec duhet të realizohet duke respektuar të gjitha standardet mjedisore.
Në një prononcim për mediet pas takimit me dy delegacione të Bundestagut gjerman, Balla tha se gjatë diskutimeve është trajtuar rëndësia e këtij investimi dhe garancitë që lidhen me realizimin e tij, duke theksuar se investimet e kësaj natyre në Shqipëri konsiderohen strategjike dhe duhet të mbrohen.
Sipas Ballës, faza e parë e investimit në Zvërnec kap vlerën e mbi 4 miliardë eurove, ndërsa projekti vlerësohet për ndikimin e tij në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare.
“Investimi në Zvërnec, jo vetëm për nga vlera financiare e fazës së parë të investimit, mbi 4 miliardë euro, por nga rëndësia e këtij projekti sa i përket turizmit, një vend me 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm Bruto, t’i thuash jo një investimi 4 miliardë euro është e pamundur”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se investimi do të realizohet, ndërsa qeveria dhe agjencitë shqiptare të përfshira në proces do të garantojnë respektimin e standardeve të mbrojtjes së mjedisit.
“Qeveria shqiptare dhe agjencitë shqiptare të përfshira në këtë proces do të garantojnë që të respektohen të gjitha parimet e mbrojtjes mjedisore”, u shpreh Balla, duke iu referuar edhe parashikimeve të Kapitullit 27 të acquis të Bashkimit Europian, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Balla sqaroi gjithashtu se faza e parë lidhet me blerjen e terrenit, ndërsa fazat e tjera të projektit pritet të vijojnë më tej.
/m.m/j.p/r.e/