Balla: Reagim në kohë i policisë për të parandaluar ngjarje kriminale

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për operacionet dhe veprimet e fundit për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe ndalimin e personave në kërkim.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka theksuar rëndësinë e reagimeve në kohë nga Policia e Shtetit, duke përmendur disa prej arritjeve të forcave të rendit.
“Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Shtetit ka reaguar në kohë për të parandaluar ngjarje kriminale, ndalimin e personave në kërkim, sekuestrim të armëve dhe municioneve luftarake, goditje të rasteve të krimit ekonomik, lirim të plazheve publike nga zaptimet e paligjshme,” shkroi Balla.
Ai gjithashtu përgëzoi policinë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe Policinë Kufitare për operacionet e suksesshme dhe reagimet e shpejta.