E Enjte, 5 Nëntor 2026

Balla: Reagimi në kohë, rrit besimin e publikut tek Policia e Shtetit

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot se reagimi në kohë i forcave të rendit, rrit besimin e publikut tek Policia e Shtetit.

Balla, duke ndarë pamje të operacioneve policore kundër paligjshmërisë gjatë 24-orëve të fundit, thekson rëndësinë e reagimit në kohë të forcave të rendit dhe sigurisë, i cili ndikon edhe tek parandalimi i ngjarjeve kriminale.

“Rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit lidhet ngushtësisht me reagimin në kohë mbi ankesat apo thirrjet për ndihmë të qytetarëve, parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve me armë zjarri, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike”, thekson Balla.

Ministri i Brendshëm, po ashtu ka përgëzuar Policinë e Shtetit për rezultatet e arritura në luftën ndaj paligjshmërisë.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë sekuestruar shtatë armë zjarri, sasi të shumta fara, fidanë e bimë kanabis dhe janë arrestuar/proceduar 26 persona. Përgëzime Policisë së Shtetit në Vaun e Dejës, Dibër, Bulqizë, Lezhë, Mirditë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kukës, Korçë, Shkodër dhe Berat”, përfundon postimin e tij Balla.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›