Balla: Zgjatja e Vetingut rekomandim i partnerëve, nuk ka negociata me PD-në

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “nuk do të ketë negociata me Partinë Demokratike për zgjatjen e afatit të Vetingut”.
Në një prononcim për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se “themeli i Reformës në Drejtësi është largimi i çdo ndërhyrje nga ana e politikës në këtë reformë”.
“Çështja e ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë nuk është një çështje e jona, është një çështje shumë teknike për të zgjatur mandatin e këtyre dy institucioneve dhe për të garantuar proces të njëjtë për të gjithë gjyqtarët e prokurorët. Është çështje teknike dhe nuk duhet të bëhet pjesë e debatit politik”, tha Balla.
Balla tha se “propozimi që ka ardhur në një grup deputetësh është diskutuar gjatë, që nga legjislatura e kaluar me ata që kanë monitoruar implementimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe mosfutja e politikës në këtë proces është tejet jetike për vijueshmërinë e Reformës në Drejtësi”.
“As ka pasur, dhe as nuk do të ketë negociatë për këtë gjë. Është një rekomandim që ka ardhur nga partnerët dhe institucionet që monitorojnë proceset e Vetingut. Deri më tani ky proces ka ecur shumë mirë, madje përtej pritshmërive. Askush nuk e dinte që një numër i madh prokurorësh dhe gjyqtarët do të shkarkoheshin”, tha Balla.
Balla tha se “grupi parlamentar i PS, s’do të hyjë në diskutim për këtë çështje”. “E rëndësishme është që politika duhet të rri larg Reformës në Drejtësi dhe Vetingut në veçanti”, tha Balla.
Po ashtu, Balla theksoi se “Kuvendi shumë shpejt do të ngrejë komision të posaçëm për reformën zgjedhore”.
“Gjithçka po diskutohet dhe në frymën e progres-raportit të sotëm të KE-së duhet të vazhdojmë të institucionalizojmë frymën e një dialogu politik”, tha Balla.
Balla tha po ashtu se “jemi 100% të hapur për të diskutuar të gjitha propozimet që vijnë nga grupi parlamentar i PD-së nëse përmbushin kushtet që ka vendosur Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit”.