E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla dhe Spahiu vizitojnë të moshuarit në Kavajë: Do bashkojmë forcat për investime

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Kujdesjes Sociale Klodiana Spahiu, kanë zhvilluar një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë. Gjatë vizitës, Balla dhe Spahiu janë takuar me të moshuarit, duke ndarë momente të ngrohta me gjyshet dhe gjyshërit e kësaj qendre. Në fjalën e tij Balla theksoi rëndësinë e përkujdesjes dhe dashurisë ndaj moshës së tretë.

“Mosha e tretë ka nevojë për përkujdesje dhe dashuri. Siç na e dhanë kur na rritën. Këtu, në këtë qendër, bashkëpunimi mes shërbimit social që i përket qeverisë qendrore dhe qendrës që i përket qeverisjes vendore është shumë i mirë, por tani detyra jote e dashur Klodi, se të kam shoqe prej shumë vitesh është që në buxhetin e vitit të ardhshëm ta plan planifikosh një investim në këtë qendër. Do bashkojmë forcat bashkë, edhe ti e di që po i bashkyam forcat bashkë ja arrijmë. Por si e tha nëna këtu, “i humbi fëmijët në Otranto”, por këtu më Kavajë ka gjetur familjen e re”, tha Balla.

Ndërsa ministrja Spahiu në fjalën e saj theksoi se pas çdo historie të tyre ka një jetë të tërë, me sakrifica, kujtime dhe kontribute që meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë, por edhe kujdesin e vëmendjen që duhet t’u kushtojmë çdo ditë.

“U largova prej tyre me shumë mbresa, por edhe me një angazhim të qartë: Të rikthejmë dinjitetin e banesës së tyre, përmes restaurimit dhe përmirësimit të kushteve, që kjo shtëpi të jetë më e ngrohtë, më e përshtatshme dhe më dinjitoze për ta”, u shpreh ministrja Spahiu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›