Balla me nxënësit për 1 Qershorin: Festime dhe edukim mbi sigurinë rrugore

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla uroi sot festën e 1 Qershorit, ndërsa vizitoi ambientet e një shkolle në kryeqytet.
Bashkë me efektivë të Policisë Rrugore dhe efektivë të forcave “Shqiponja”, Balla iu bashkua festës së 1 Qershorit në shkollën jopublike “Rreze Drite” në Tiranë, ku fëmijët u njohën me rregullat e qarkullimit rrugor.
Krahas organizimit të një aktiviteti festiv, nxënësit e kësaj shkolle prezantuan edhe projektet e tyre në fushën e sigurisë rrugore, duke bërë demonstrime konkrete mbi rregullat e qarkullimit rrugor në prani të punonjësve të Policisë Rrugore.
Ministri Balla nënvizoi rëndësinë e edukimit mbi sigurinë rrugore që në moshë të vogël, ndërsa inkurajoi nxënësit mbi zbatimin e rregullave të qarkullimit.
Punonjësit e Policisë Rrugore shpërndanë për nxënësit libra dhe materiale informuese mbi sigurinë rrugore, ndërsa improvizuan bashkë me fëmijët zbatimin e rregullave bazë të qarkullimit.
Gjatë muajve të fundit, ekspertët e qarkullimit rrugor dhe drejtuesit e policisë kanë vijuar vizitat në shkolla ku u kanë sqaruar nxënësve rregullat bazë të qarkullimit rrugor.
Përveç edukimit të nxënësve mbi rregullat e qarkullimit, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po zbaton edhe paketën e Sigurisë në shkolla, me qëllim parandalimin e kriminalitetit dhe përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve, si dhe goditjen pa kompromis të rrjetit të shpërndarjes së drogës në perimetrin e sigurisë në të gjitha shkollat në rang vendi.
1 nga 8/m.m/