E Enjte, 5 Nëntor 2026

Balla pret deputetin e Bundestagut gjerman: Gjermania mbështetëse e Integrimit të Shqipërisë në BE

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla është takuar sot në Tiranë me deputetin e Bundestagut Adis Ahemtovi

Balla ka zhvilluar një komunikim për mediat pas takimit me deputetin e Bundestagut teksa u shpreh se në këtë takim u diskutua për çështje të interesit të dyanshëm.

Kemi ftuar për një vizitë në Shqipëri reporterin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Politikës së Jashtme të Bundestagut në emër të Partisë Social Demokrate Gjermane. Një mik shumë i mirë i Shqipërisë Ahmetovic i cili do të takohet jo vetëm më përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë por edhe me përfaqësues të Qeverisë, të shoqërisë civile, të sipërmarrjes gjermane, që është prezente në Shqipëri, sepse e kemi thënë shpesh që roli kryesor i këtyre shkëmbimeve mes vizitave të anëtarëve të Bundestagut Gjerman është jo vetëm forcimi i bashkëpunimit të shkëlqyer në nivel parlamentar, por edhe rritja dhe mbështetja e prezencës së sipërmarrjes Gjermane në Shqipëri. Gjej rastin ta falenderoj reporterin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Politikës së Jashtme së Bundestagut për qëndrimin e qartë dhe mbështetjen e plotë në funksion të mbajtjes së Konferences së Parë Ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe shpresojmë edhe me Maqedoninë e Veriut duke besuar të dy së bashku që gjatë kësaj jave do të gjendet ose do të plotësohet numri i duhur i mbështetjes në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që javën e ardhshme të hënën apo të martën të jetë e mundur mbajtja e të dy Konferncave Ndërqeveritare, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi diskutuar gjatë takimit çështje të interesit të dyanshëm. Ne vlerësojmë shumë procesin e Berlinit si një proces që ka ndikuar pozitivisht dhe me rezultate konkrete në kuadër të raporteve dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sikurse në vlerësimin tonë` Ballkani i Hapur` është instrumenti i duhur i cili ka mundësuar që parimet themelore të BE-së sikurse është liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve apo kapitaleve të implementohet edhe në rajonin tonë si një instrument i cili ka dhënë rezultate konkrete në ndihmë të sipërmarrësve, qytetarëve dhe të gjithë në rajonin tonë.

Balla theksoi gjithashtu se kancelari gjerman është i qartë për procesin e Berlinit dhe ka prioritet anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Dhe në këtë këndvështrim gjej rastin të kujtoj që kancelari Scholz është shumë i qartë në vazhdimin e procesit të Berlinit dhe natyrshëm kancelari Scholz e ka në prioritetet e politikës së jashtme gjermane ecjen përpara në procesin e antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe në fund por që është edhe më e rëndësishmja, në aspektin e komunikimit drejtpërdrejt me zotin Ahmetovic gjej rastin ta falenderoj jo vetëm në emër të Kuvendit të Shqipërisë por edhe në emër të Parlamentit të Kosovës qëndrimin e qartë të zotit Ahmetovic dhe të Kryetarit të delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe fjalën në Bundestag në mbështetje të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›