E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Ballkani Perëndimor në BE deri në vitin 2030”, Tajani vlerëson Shqipërinë për azilkërkuesit

Nga kryeqyteti malazez Podgorica, ku nisi turin ballkanik që vijon me Shkupin, zëvendëskryeministri italian Antonio Tajani u ndal edhe tek marrëdhëniet e ngushta me Tiranën.

Tajani, i cili në të njëjtën kohë, mban detyrën e shefit të diplomacisë së vendit tonë fqinj, ka deklaruar se protokolli italo-shqiptar për menaxhimin e azilkërkuesve është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë dhe më të fortë mes dy vendeve.

Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme i Italisë: Italia dhe Shqipëria kanë një partneritet të fortë strategjik, të bazuar në lidhjet tradicionale politike, kulturore, ekonomike dhe sociale si dhe në aleancën e NATO-s. Protokolli italo-shqiptar është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë dhe më të fortë në fushën e drejtësisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Qëllimi ynë është që të luftojmë trafikimin e qenieve njerëzore dhe t’u mundësojmë atyre që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare të hyjnë në territorin evropian, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe humanitare. Është e rëndësishme që në këtë veprim të përfshihen edhe vendet jashtë BE-së.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor sipas Tajanit nuk është e pamundur që të hyjnë në BE para Ukrainës dhe para vitit 2030.

Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme i Italisë: Këto shtete kanë kapacitetin për të përfunduar këtë rrugë, e cila megjithatë mbetet e bazuar në meritat individuale. Kjo është një përpjekje e rëndësishme që nuk duhet nënvlerësuar. Ne të gjithë duhet të dëshmojmë se jemi në lartësinë e detyrës për të ofruar asistencë politike dhe teknike në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është e pamundur që të hyjnë në BE para Ukrainës dhe para vitit 2030.

Pas disa ditësh, tha zëvendëskryeministri italian në New York gjatë seancës së vjeshtës të OKB-së se ai do të mbledhë grupin e miqve të Ballkanit Perëndimor. Ai synon po ashtu që të organizojë një takim në Romë me Komisionerin e ri të BE-së për Zgjerimin për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor.

/a.r

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›