E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku: Bashkitë mund të përfitojnë nga ankandet e energjisë së rinovueshme

Bashkitë e vendit mund të përfitojnë nga ankandet e energjisë së rinovueshme.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar se bashkitë do të kenë rol aktiv në zhvillimin e energjisë së rinovueshme, përmes pjesëmarrjes në ankande të dedikuara.

Ajo theksoi se i është kërkuar pushtetit vendor të identifikojë toka të pafrytshme për bujqësi dhe të papërshtatshme për zhvillim urbanistik, që do të vihen në dispozicion për projektet me burime të gjelbra.

“Bashkitë do të bëhen aksionere në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të vendit. Objektivi ynë mbetet që deri në fund të vitit 2030, Shqipëria të bëhet eksportues neto i energjisë elektrike”, u shpreh Balluku.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë dhe grantit për financimin të projektit për ndërtimin të parkut fotovoltaik të Belshit, Balluku tha se “kemi kërkuar nga pushteti vendor identifikimin e tokave të pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e ankandeve ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme”.

“Gjatë gjitha analizave që kemi bërë dhe gjatë gjithë studimit të territorit kemi arritur në përfundimin se të gjitha ato toka të pafrytshme të ndodhura në bashkitë e ndryshme të vendit duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike duke u bërë pjesë vetë kështu edhe vetë bashkitë në këto ankande”, theksoi Balluku.

E them këtë, vijoi Balluku, pasi shpesh herë na vijnë kërkesa për tokat të cilat merren me qira disavjeçare nga privatët në bashkitë e ndryshme të vendit ndërkohë që bashkitë nuk anë kapacitete për të ngritur ankande apo as kuadër mbi të cilin duhet të funksionojnë.

“Për këtë arsye në një bashkëpunim të plotë me të gjithë bashkitë e vendit kemi nisur një proces për të identifikuar ato prona, të cilat janë në regjistrat dhe inventarët e bashkive, të cilat nënvizoj janë të pafrytshme dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor shqiptar apo për arsye të tjera zhvillimore”, nënvizoi Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›