E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balluku: Nuk do të ketë më fatura aforfe për energjinë, leximi brenda muajit

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur sot se nuk do të ketë më faturim aforfe.

Gjatë një interviste në medie, Balluku bëri të ditur se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) prej 6 muajsh po punon për hapjen e një projekti të rëndësishëm që  ka të bëjë me vendosjen e matësave inteligjentë që do të zgjidhin një problematikë të rëndësishme, pasi sipas saj, automatizimi dhe inovacioni janë të rëndësishëm.

Ajo u shpreh se nuk do të ketë më fatura aforfe dhe se leximi do të bëhet brenda muajit.

“I gjithë ky proces kërkon nga ana e OSHEE të ketë lexim të detajuar dhe nuk duhet të ekzistojë më aforfeja”, tha Balluku.

Sipas saj, operatorët janë të përgatitur për këtë.

“Jemi në proces për hapjen e thirrjes për plotësim të disa vendeve për pozicionin e lexuesit. Ka një urdhër të Administratorit të OSHEE-së që të ketë lexim dhe faturim brenda 30 ditëve apo 31 ditëve sipas muajit dhe jo më tepër”, siguroi ajo. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›