“Balluku”, Peleshi cakton datën kur rimblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Kuvendi i Shqipërisë, përmes një njoftimi për media, bën me dije se kur do të mbahet mbledhja e rradhës e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku.
Sipas Kuvendit, mbledhja do të zhvillohet më 28 janar, duke nisur nga ora 12:00.
“Me Urdhrin nr. 3, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit”, njofton Kuvendi.
Urdhri i kryeparlamentarit Niko Peleshi vjen pak orë pas kallëzimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Sipas tyre, kallëzim ka ardhur me argumentimin se Peleshi bllokoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve për çështjen e zëvendës-kryeministres Belinda Balluku.
PD pretendon se Peleshi përmes veprimeve apo mos-veprimeve të tij ka penguar drejtësinë të bëjë punën e vetë, duke mos i hapur rrugë procesit për heqjen e imunitetit të Ballukut, me vendim të SPAK.
Në dhjtor, SPAK njoftoi Kuvendin se Belinda Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurit pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe “Unazën e Madhe” të Tiranës.