Balluku: Projekt novator turizmi në Bulqizë, rivitalizim zonës minerare

TIRANË, 12 tetor/ATSH-Maela Marini/ Një projekt novator turistik do të zbatohet në Bulqizë, një zonë e cila njihet për pasuritë e saj minerare, por që tashmë do të kthehet në potencial për zhvillimin e turizmit.
Lajmin e bëri të ditur sot zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila prezantoi projektin gjatë konferencës së organizuar me rastin e përmbylljes së sezonit turistik veror.
“Turizmi nuk ka të bëjë vetëm me detin por me çdo cep të Shqipërisë. Ndaj në një zonë turistike që nuk do t’i kishte shkuar në mend askujt, Bulqiza e minierave, historive të trishta dhe halleve të mëdha, ne do të prezantojmë një nga projektet më të mëdha dhe novatore të turizmit”, tha Balluku.
Sipas saj, ky projekt rivitalizon një zonë minerare dhe do të ndërtojë aty një aset tjetër turistik, Divizioni, i cili do të kthehet në një nga nuklat më të rëndësishme të turizmit.
“Do të ndërtojmë një muze që do të përfshijë zona argëtimi dhe do të kthehet në destinacion për gjithë banorët e kryeqytetet që mund të shkojnë atje vetëm për 30 minuta përmes tunelit të Murrizit”, tha Balluku.
Balluku tha se “Shqipërinë e ka bekuar Zoti me aq shumë bukuri, sa kudo mund të ndërtohen nukla turistike, secila ndryshe nga tjetra”. /j.p/