Balluku e pandehur për korrupsion, SPAK i komunikon edhe akuzat për fshehje pasurie, abuzim me tenderat dhe pastrim parash

Afro një vit nga marrja e saj e pandehur për abuzim në tendera, pozita ligjore e ish numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku u rëndua edhe më shumë. Në orët e para të mëngjesit të së martës ajo u paraqit në prokurorinë e posaçme antikorrupsion, institucion i cili i ka komunikuar se është marrë e pandehur për 5 vepra të rënda penale, mes të cilave edhe korrupsion.
SPAK: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë); “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”; “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë); “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”.
SPAK zyrarisht thotë se të njëjtat vepra penale do tu komunikohen edhe personave me të cilët dyshohet se Balluku i ka konsumuar ato.
Po këtë të martë ish ministres së infrastrukturës iu komunikua edhe zgjatja e afateve të hetimit deri në janar të vitit tjetër, diçka që e pranoi avokati i saj Ardian Kalia teksa e shoqëroi në prokurorinë e posaçme.
“Jemi në fazë hetimore. Pati edhe një zgjatje të tyre”, tha avokati Ardian Kalia.
Belinda Balluku është e dyshuar se këto akuza i ka kryer në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe për tetë lotet e unazës së madhe. Për këto hetime, Ballukut i janë sekuestruar dy vila në bregdet, të cilat pretendohet se de facto i përkasin asaj vetë.