Balluku vlerëson kontributin e dy punonjësve të ARRSH-së: Burimet njerëzore, aseti më i rëndësishëm i çdo institucioni

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Denis dhe Nikollaqi kanë një jetë të tërë si pjesë e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Janë dy prej atyre profesionistëve të heshtur, që kanë kontribuar për vite me radhë në ndërtimin e infrastrukturës moderne të vendit.
Shumë prej projekteve infrastrukturore, veprave të artit dhe akseve rrugore që sot shërbejnë për mijëra qytetarë, mbajnë edhe firmën e tyre.
Në bisedën me ta, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e tyre ndër vite, duke i cilësuar shembull frymëzimi për gjithë brezat e rinj të profesionistëve.
Balluku theksoi se burimet njerëzore janë aseti më i rëndësishëm i çdo institucioni, dhe se njerëz si Denis dhe Nikollaqi meritojnë respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve, për punën e tyre të palodhur.
Ajo i quajti shembuj frymëzimi për çdo të ri që zgjedh të ndërtojë një karrierë me përkushtim dhe profesionalizëm.
“Të ndërtosh infrastrukturën e një vendi është kënaqësi shumë e madhe. Të kalosh aty dhe të shikosh që është vepër e jotja, të kujtosh sfidat për ta realizuar”, iu drejtuar Balluku dy specialistëve të ARRSH-së. /a.gj/ /a.g/