E Diel, 1 Nëntor 2026

Balotazhi në Kosovë, qytetarët në 18 komuna votojnë për të zgjedhur kryetarët e tyre! Albin Kurti: Ditë e mirë për demokracinë

Kosovë – Një milion e 316 mijë e 672 votues në 18 komuna, nga mbi dy milionë që kishin të drejtë vote në të gjithë vendin sot votojnë për të zgjedhur kryetarin e tyre.

Raundi i parë i zhvilluar më 12 tetor, dërgoi në balotazh 18 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë e Kllokot.

Gara do të zhvillohet mes dy kryetarëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, por që nuk arritën të siguronin më shumë se 50% të votave.

Gara për kryeqytetin, Prishtinë, pritet të marrë vëmendjen kryesore në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Kryeqyteti ka qenë për më shumë se një dekadë simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në balotazhin e kësaj të diele do të përballen Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrullah Çeku i LVV-së.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti votoi mëngjesin e sotëm në një qendër votimi në Prishtinë, duke i cilësuar votimet në balotazh si “ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”.

Ai tha se u bën thirrje “gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës”./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›