E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban ki Moon prezanton planin, Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë

Nju Jork - Kosova dhe Serbia do të bashkëpunojnë me një mision të Bashkimit Evropian për drejtësinë dhe policinë, që Brukseli shpreson se do të dislokohet në Kosovë në fillim të muajit të ardhshëm, deklaroi dje sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Në shkurt, BE-ja ra dakord të dërgojë misionin, i njohur si EULEX, në Kosovë për të zëvendësuar misionin e Kombeve të Bashkuara dhe të mbikëqyrin policinë, drejtësinë dhe doganat, por dislokimi i tij është shtyrë për shkak të kundërshtimit të Serbisë, e cila refuzon të pranojë shkëputjen e Kosovës.

Ban Ki-moon theksoi në një raport se Kosova ka kundërshtuar planin e tij gjashtëpikësh për dislokimin e EULEX-it, që u pranua nga Serbia. Megjithatë qeveria e saj ka treguar se "është e gatshme të bashkëpunojë me EULEX-in".

Ban ka udhëzuar personelin e OKB-së të përgatitet që EULEX-i të marrë një rol operacional në Kosovë.

Pavarësisht nga premtimet për bashkëpunim, Kosova ka kundërshtuar zyrtarisht planin e Banit, pasi shkel kushtetutën e saj dhe sjell si pasojë një ndarje de facto të shtetit të ri.

Diplomatët perëndimorë në Nju Jork nga vendet që mbështesin pavarësinë e Kosovës e mirëpritën planin e Ban ki-moonit.

"Ky është një lajm i mirë", deklaroi një diplomat. "Kjo tregon se si Kosova ashtu edhe Serbia janë të gatshme të bashkëpunojnë me
EULEX-in", theksoi ai.

Raporti shkruan më tej se Kosova nuk pranon planin 6 pikësh për implementim e misionit EULEX, të cilin e ka pranuar Serbia. Megjithatë qeveria e Prishtinës ka deklaruar se është “e gatshme të bashkëpunojë me EULEX”.

Plani është i ndarë në 6 pika dhe saktëson qartë të gjitha funksionet në polici, doganë, transport, infrastrukturë, kufijtë dhe trashëgimnia serbe. Pikat më të kontestuara për Kosovën janë policia dhe doganat.

Policia dhe doganat dhe sistemi i drejtësisë në zonat e banuara me serbë në Kosovë do të jenë nën ombrellën e OKB-së ndërsa në zonat ku banojnë shqiptarët, policia, doganat dhe drejtësia do të punojë me EULEX-in
Plani parashikon hapjen e 9 stacioneve të reja policore për pakicat të cilat do të monitorohen nga ndërkombëtarët. Krerët e policisë do të emërohen nga UNMIK.

Për doganat raporti thotë se Kosova do të funksionojë si rajon i vetëm doganorë, për këtë cështje do të jetë në zbatim rezoluta 1244 dhe tarifat doganore të vendosura sipas kësaj rezolute. Të ardhurat doganore do të përdoren për zhvillimin e komuniteteve lokale. Në raport Ban Ki Moon nënvizon “nevojën e negociata të mëtejshme mes palëve relevante negociuese, për të arritur pajtimin dhe për të përcaktuar modalitetet për operim për riaktivizimin e pikave doganore”.

Për drejtësinë në raport thuhet se gjykata në veri të Mitrovicës do të vazhdojë të jetë nën kontrollin e UNMNIK, ndryshe nga gjykatat e tjera në Kosovë. Gjykatësit do të emërohen në përputhje me rezolutën 1244 të KS-së.

Për transportin dhe infrastrukturën raporti thotë se do vazhdojnë bisedimet serbo kosovare për nevojat e mëtejshme të tyre.

Për kufijtë kontrolli do të mbetet në duart e KFOR-it. Për Trashëgimninë serbe raporti nënvozion se do të vazhdojë mbrojtja e kishës ortodokse serbe, ndërsa cështjet e tjera do të vendosen nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›