E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bani: Integriteti i gjyqtarëve të GJKKO i prezumuar nga masat e rrepta të monitorimit

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Erjon Bani, zëvendëskryetar i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i pranishëm në tryezën e drejtësisë të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, theksoi se të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni, për shkak të ligjit dhe masave të rrepta të monitorimit, e kanë të prezumuar integritetin.

Në fjalën e tij, Bani theksoi se kush ka indicie konkrete kundër gjyqtarëve duhet t’i drejtohet organeve kompetente, jo të bëhet një “gjyq” i gjyqtarëve.

“Lidhur me integritetin si GJKKO dhe SPAK dhe BKH janë institucione më të monitoruara, për shkak të ligjit. Jo vetëm gjyqtarët, por edhe familjarët i nënshtrohen kontrollit periodik të pasurisë, monitorimit nga drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe mund të përgjohen në kohë reale të gjitha komunikimet, të gjitha mesazhet”, tha Bani.

“Sa i takon integritetit, duhet të theksojmë një fakt që parimet ndërkombëtare dhe jurisprudenca e Strasburgut kanë një parim të rëndësishëm që prezumohet integriteti, besueshmëria e gjyqtarëve në momentin që janë emëruar. Kjo gjë prezumohet. Kush ka indicie në lidhje me integritetin duhet t’i adresojë në organet kompetente. Nuk mund të bëhet gjyqi i gjyqtarit. Gjyqin e gjyqtarit e bën vetëm një gjykatë më e lartë. Këto janë parimet që duhet të kuptohen” shtoi Bani.

Më tej, Bani nënvizoi se “sa i takon kritereve që të bëhesh pjesë e GJKKO ka një kontroll të posaçëm në organet e vetingut. Vetingu ishte më i thellë, dhe qëllimi ishte për të kthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ne kemi kaluar filtër ndryshe nga gjyqtarët e tjerë. Integriteti këtu është prezumuar, kush ka dyshime t’i adresojë në organet kompetente. Vetingu që iu është bërë gjyqtarëve të GJKKO nuk i është bërë asnjë gjyqtari tjetër në Shqipëri. Është kontrolluar, pasuria, integriteti dhe pasuria, por është kontrolluar integriteti i familjarëve të tyre në rreth shumë të gjerë”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›