Banka Shqiptare e Zhvillimit/ Qeveria nxjerr për konsultim publik projektligjin, shteti shqiptar do të jetë aksioneri kryesor

Pas deklaratës së Kryeministrit Rama pak ditë më parë se Shqipëria do të ketë Bankën Shqiptare të Zhvillimit, Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin.
Projektligji “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, ka si qëllim themelimin dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e një institucioni financiar zhvillimi, i ngjashëm me bankat apo institucionet kombëtare promovuese që funksionojnë në Bashkimin Evropian.
Synimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit e cila do të njihet edhe me emrin e shkurtuar BZH, ka synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe start up-et.
Objektivat kryesore të Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të jenë edhe promovimi i eksporteve apo mbështetja e projekteve me rëndësi për zhvillimin ekonomik.
Në projektligj përcaktohet se shteti shqiptar do të jetë aksioneri kryesor dhe fillestar i BZH-së, me një pjesëmarrje minimale prej 51% të kapitalit. Nga ana tjetër, lejohet përfshirja e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe entiteteve të tjera të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Po ashtu, përcaktohet se kapitali fillestar i Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të jetë 10 miliardë Lekë, i kontribuuar nga shteti shqiptar dhe i shlyer brenda një afati 4-vjeçar, sipas rregullave të përcaktuara në statut.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë të drejtë të hapë llogari bankare në Bankën e Shqipërisë, në Thesarin e Shtetit, si dhe në banka tregtare vendase ose ndërkombëtare.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë e përjashtuar nga tatimi mbi fitimin, duke mundësuar fokusimin e burimeve në arritjen e objektivave të saj të zhvillimit.