Banka e Shqipërisë: 94% e ndërmarrjeve raportojnë fitim, 31% kanë kredi për të shlyer

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Rreth 94% e ndërmarrjeve që morën pjesë në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 raportuan se dalin me fitim, ndërsa pritshmëritë për shitjet, investimet dhe zgjerimin e aktivitetit mbeten pozitive.
Vrojtimi përfshiu 1355 ndërmarrje të madhësive të ndryshme, të shpërndara në të gjithë vendin dhe që ushtrojnë aktivitet në sektorët kryesorë të ekonomisë.
Sipas të dhënave, shitjet dhe rezultati financiar kanë shënuar ecuri pozitive, me përmirësimin më të theksuar të rezultatit financiar te ndërmarrjet e vogla. Megjithëse ky tregues është zbutur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, ai rezulton më i mirë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, konkurrenca dhe kostot e prodhimit vijojnë të jenë sfidat kryesore për bizneset. Për ndërmarrjet e mëdha, një tjetër shqetësim mbetet gjetja e tregjeve, ndërsa për ato të vogla rëndësi të veçantë kanë aksesi në financim dhe kostot e tij.
Sa i përket financimit, rreth 57% e ndërmarrjeve deklarojnë se mbështeten vetëm te të ardhurat nga shitjet, duke dëshmuar rolin kryesor të burimeve të brendshme në financimin e aktivitetit.
Vrojtimi tregon gjithashtu se 31% e ndërmarrjeve të përgjigjura kanë aktualisht një hua për të shlyer. Kjo peshë ka rënë me 4 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me rreth 2 pikë përqindjeje në terma vjetorë.
Ndërtimi vijon të jetë sektori me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve huamarrëse, me rreth 40%, ndërsa shërbimet kanë peshën më të ulët, me 22%.
Pavarësisht rënies së numrit të ndërmarrjeve me hua, raporti mesatar i huas ndaj kapitalit është rritur në rreth 79%. Nga ana tjetër, 81% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se pagesat e huave zënë deri në 20% të të ardhurave të tyre.
Marrëdhënia me bankat vijon të vlerësohet e rëndësishme nga bizneset, ndërsa procesi i marrjes së një kredie perceptohet ende si i vështirë, veçanërisht nga ndërmarrjet e vogla.
Për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026, pritshmëritë për kërkesën për kredi mbeten pozitive, ndonëse me një zbutje të lehtë krahasuar me periudhën e mëparshme. Po ashtu, bizneset shfaqin pritshmëri pozitive për investimet dhe zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik.
/e.xh/r.e/j.p/