Banka e Shqipërisë frenon rritjen e interesave në 2.75%

Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%.
Pas tre rritjesh radhazi me nga 0.5 përqindje në tre mbledhjet e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ngadalësojë ritmin e normalizimit monetar.
Vendimi u mor duke parë edhe sinjalet pozitive që inflacioni dhe veçanërisht komponenti i tij bazë ka dhënë në muajt e fundit.
Guvernatori, Gent Sejko, tha se trajektorja e inflacionit duket se ka shënuar një kthesë drejt reduktimit në tremujorin e katërt, ndërkohë që aktiviteti ekonomik vijon të jetë nën presionin e çmimeve të rritura dhe të pasigurisë së shtuar.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, nëpërmjet kontrollit të pritjeve për inflacionin, reduktimit të pasigurisë dhe ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare, si dhe garantimit të qëndrueshmërisë së monedhës tonë kombëtare.
Projeksionet e skenarit bazë të Bankës së Shqipërisë, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.
Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024.
Megjithatë, Guvernatori Sejko theksoi edhe njëherë se procesi i normalizimit monetar është i nevojshëm për të kthyer inflacionin pranë objektivit dhe ky proces do të vazhdojë gjatë vitit 2023.
/ rtsh. al /