E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Banorët e Hotolishtit kërkojnë ndryshimin e projektit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Një përfaqësi të banorëve të Hotolishtit kanë dorëzuar sot një peticion me 511 firma në bashkinë e Librazhdit, përmes të cilit ata kërkojnë që rruga të devijohet në luginën e Shkumbinit.

Këta banorë, kërkojnë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që të ndryshohet gjurma e autostradës Elbasan – Qafë Thanë, e cila sipas projektit kalon mes për mes fshatit të tyre.

“Ne banorët e njësisë administrative Hotolisht kërkojmë ndryshimin e projektit aktual të rrugës Elbasan-Qafë Thanë pasi ai dëmton rëndë jetët tona dhe shpërfill interesat e komunitetit. E theksoj ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, ne jemi kundër që kjo rrugë të kalojë mes përmes fshatit tonë ku nuk ka asnjë shenjë rruge të mëparshme. Ndarja e fshatit do ta shkatërronte atë përfundimisht. Kërkesa jonë është të ndryshojë traseja, rruga të kalojë anës lumit Shkumbin, siç ishte projekti i parë i ARRSH”, thonë ata për mediet.

Banorët e këtij fshati, paralajmërojnë se në rast se nuk merret asnjë masë nga ana e autoriteteve dhe institucioneve përkatëse, do të ketë përshkallëzim të qëndrimit të tyre, deri në protesta dhe bojkot të zgjedhjeve të 11 majit.

“Në rast se nuk na dëgjojnë do të ndjekim të gjitha hapat ligjore do të protestojmë duke bllokuar dhe rrugën aktuale. Nuk do dalim në zgjedhje, sepse bllokon komplet fshatin, nuk ka hyrje-dalje, është një dëm i madh për të gjithë banorët. Kërkesa i drejtohet ARRSH-së dhe zv/kryeministres Balluku”, thonë ata.

Aktualisht makineritë dhe punëtorët e kompanisë ndërtuese po punojnë për hapjen e trasesë në segmentin Elbasan-Papër-Ura e Grykshit dhe më pas do të vazhdohet drejt Hotolishtit. Autostrada që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut pritet të përfundojë në 2027-ën dhe do t’i kushtoje buxhetit të shtetit rreth 10 miliardë lekë.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›