E Diel, 1 Nëntor 2026

"Barça i trembej Realit për Mesin"

Holandezi Johan Krojf, i cili ka drejtuar stolin e Barcelonës nga viti 1988 deri më 1996, është shprehur kundër rinovimit 7-vjeçar të kontratës së Lionel Mesit me Barcelonën. Ai e ka cilësuar "të ekzagjeruar" marrëveshjen, e cila parashikon që argjentinasi të luajë në "Kamp Nou" deri në vitin 2016. Në editorialin e përjavshëm në kolonat e "El Periodico de Catalunya", 62-vjeçari nënvijëzoi se rinovimi nuk i shërben Mesit "në trajektoren e cilësisë dhe të rritjes si lojtar". Krojf këmbëngul në politikën e kontratave afatshkurtra, sepse vetëm në këtë mënyrë lojtarët gjejnë motivime të reja për të punuar vit pas viti dhe për t‘u përmirësuar. "Nuk jam mbështetës i kontratave të gjata dhe bashkëpunimi deri në vitin 2016 që Barcelona ka firmosur me Mesin është i tillë. Vazhdoj të mbroj idenë e kontratave afatshkurtra, deri në tre apo katër vjet, pavarësisht se për cilin lojtar bëhet fjalë. Edhe më i miri duhet të ketë kontratë afatshkurtër", shkruante më tej legjenda e futbollit botëror. "Futbollistët, pavarësisht nga emri apo fama, kanë nevojë që të motivohen vazhdimisht. Unë, ashtu si edhe klubi, mendoj se lëvizja e duhur është që kontratat dhe termat e saj të përmirësohen vit pas viti, nëse futbollisti vërtet e meriton. Kontratat kaq të gjata ndikojnë negativisht tek yjet, sepse në pjesën më të madhe të rasteve ata nuk arrijnë të qëndrojnë në nivelet e pretenduara".

Sipas akordit të ri me presidentin Laporta dhe drejtorin sportiv, Begirishtajn, Mesi do të përfitojë rrogë më të mirë, ndërsa për prishjen e kontratës, klubet e interesuara për lojtarin duhet të paguajnë 250 milionë euro (nga 150 milionë euro që ishte më parë kjo klauzolë). Sipas Krojf, kjo manovër ka ardhur prej frikës nga Reali i Madridit. Marrëveshja e re shërben si "mburojë" nga milionat e drejtuesit më të lartë në "Santiago Bernabeu", presidentit Florentino Perez, i cili ka treguar se nuk kursehet kur bëhet fjalë për të blerë lojtarët më të mirë në botë. "Klubi veproi në këtë mënyrë, pasi kishte frikë se vinte një president me shumë para dhe e blinte. Nuk shoh ndonjë gjë të keqe edhe sikur kjo të ndodhte. Mendoj se Barça praktikoi klauzolën ‘anti-Florentino‘, duke ndryshuar edhe politikën e klubit, që kufizonte rrogat e futbollistëve. Mos më keqkuptoni, Mesi meriton të jetë një prej lojtarëve më të paguar në botë, por përmirësimi i kontratës duhet të bëhet gradualisht".

Në fund, në artikullin e tij, Krojf ka mirëpritur lëvizjet e trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola. Sipas eksponentit më të famshëm të "futbollit total", drejtuesi i stolit ka një meritë të madhe për fillimin e mirë të sezonit nga skuadra, sepse duke larguar Samuel Eto‘o, përforcoi ekipin me suedezin Zlatan Ibrahimoviç, i cili ishte shumë i motivuar të luante me "blaugranat".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›