Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të thirrur mbledhjen për Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për deputeten Belinda Balluku.
Bardhi thekson se “ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste”.
Sipas Bardhit, “pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cenuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve”.
Në emër të grupit parlamentar të PD, Bardhi dënoi me forcë “shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhrit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë”.
/m.q/a.f/r.e/