E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Katër iniciativat të opozitës futen në kalendarin e Kuvendit, adresojnë kërkesat e protestuesve

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, se katër iniciativat e deputetëve të opozitës janë përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Sipas tij, këto iniciativa lidhen edhe me kërkesat e qytetarëve që prej 101 ditësh protestojnë në bulevard. Dy prej nismave pritet të shqyrtohen më 17 shtator, ndërsa dy të tjerat më 24 shtator.

Bardhi i bëri thirrje komisioneve parlamentare të drejtuara nga mazhoranca që të respektojnë vendimet e Konferencës së Kryetarëve dhe të seancës plenare, duke kërkuar që projektligjet të shqyrtohen dhe të përgatiten për seancat përkatëse.

“Dua t’i informoj bashkëqytetarët mbi faktin se më në fund, katër iniciativat e deputetëve të opozitës, që janë njëkohësisht edhe kërkesa të qytetarëve që protestojnë tashmë prej 101 ditësh në bulevard, janë futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe janë caktuar për t’u shqyrtuar: dy prej tyre në datën 17 shtator dhe dy të tjerat në datën 24 shtator. Dua t’i apeloj publikisht që komisionet që drejtohen nga mazhoranca dhe janë komisione përgjegjëse për shqyrtimin e këtyre projektligjeve, të mos shkelin vendimin e Konferencës së Kryetarëve dhe vendimin e seancës plenare për shqyrtimin e këtyre iniciativave dhe bërjen gati për shqyrtim të tyre në këto dy seanca”, tha ai.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me mënyrën se si administrata e Kuvendit ka vepruar në lidhje me reformën territoriale.

Sipas tij, ligji kërkon që në momentin që një deputet apo Këshilli i Ministrave propozon një projektligj për një ndarje të re territoriale, do të duhet të përfshijë në relacionin shoqërues të projektligjit mendimet që kanë dhënë komunitetet.

“Pra mendimi i komunitetit që vepron apo jeton në këto njësi vendore do të duhet të jetë pjesë e relacionit përpara se projektligji të depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka ndodhur e kundërta: është depozituar projektligji në Kuvendin e Shqipërisë dhe pa u marrë në shqyrtim nga asnjë organ i Kuvendit, me firmë të Sekretarit të Përgjithshëm, ka nisur një proces konsultimi. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë për të marrë veprime të tilla, konsultime farsë dhe që nuk janë në interes të qytetarëve. Kishte një detyrim kryetari i Kuvendit: që atë projektligj, duke qenë se është depozituar në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, t’ia kthente mbrapsht propozuesve”, tha ai.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›