Bardhi: Ndryshimi i ligjit për pezullimin, ndërhyrje për të mbrojtur Ballukun

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të ndërhyjë politikisht për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediet, Bardhi u shpreh se “kur frika nga humbja e pushtetit bëhet parim, fotografitë ceremoniale nuk krijojnë imunitet politik dhe nuk zëvendësojnë ligjin”, duke shtuar se Kryeministri po tenton ta shndërrojë një hetim penal ndaj Ballukut në një debat teorik për ndarjen e pushteteve.
Sipas tij, ligji parashikon qartë pezullimin nga detyra si masë të përkohshme, e cila nuk përbën shkarkim dhe nuk paralizon institucionin, por synon të mbrojë procesin penal. “Gjykata nuk pezullon qeverinë, por një individ nga ushtrimi i funksionit”, theksoi Bardhi, duke e cilësuar si “deformim të qëllimshëm” interpretimin se pezullimi prek funksionin e institucionit.
Ai akuzoi gjithashtu Ramën se firmosja e ndryshimeve ligjore në momentin kur Parlamenti duhet të shqyrtojë kërkesën për arrest të Ballukut përbën, sipas tij, “ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe për të krijuar një imunitet të ri për pushtetin”.
Bardhi deklaroi se thelbi i çështjes është kërkesa për arrest, e cila, sipas tij, ndodhet prej gati dy muajsh në Kuvend dhe nuk po shqyrtohet. Ai kërkoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe votimin në seancë plenare.
“Respekti ndërkombëtar nuk fitohet me fotografi protokollare, por me respekt për shtetin ligjor”, u shpreh Bardhi, duke shtuar se pengimi i drejtësisë, sipas tij, nuk mund të mbulohet me imazhe ceremoniale jashtë vendit.
“Në BE dhe në SHBA, kur një zyrtar përfshihet në hetim për korrupsion, ai largohet. Jep dorëheqjen. Nuk ndryshon ligjin për të mbrojtur veten, siç po bën Edi Rama. Prandaj, firmosja prej tij e ndryshimit të ligjit pikërisht në momentin kur Parlamenti duhet të shqyrtojë kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, nuk ka të bëjë me ndonjë parim kushtetues. Është ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe për të krijuar një imunitet të ri për pushtetin. Por thelbi sot nuk është vetëm pezullimi. Thelbi është kërkesa për arrest e Belinda Ballukut, që ndodhet në Kuvend prej gati dy muajsh dhe trajtohet nga Edi Rama sikur nuk ekziston. Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë qenë të qartë: procedura duhet të vazhdojë pa vonesë. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet. Parlamenti duhet të votojë”, deklaroi Bardhi. /a.f/