E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: SPAK po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke u ndalur te çështja e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se Komisioni Europian, në raportin e publikuar dje, shprehet qartë se: “Refuzimi nga Parlamenti për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit”.

“Në mars të vitit 2026, Parlamenti rrëzoi një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit”, citon Bardhi raportin e KE-së.

Sipas Bardhit, ndërsa Komisioni Europian shpreh shqetësim për moslejimin e arrestimit, duke nënvizuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të vetmit që nuk shfaqin shqetësim janë prokurorët e SPAK-ut, të cilët po bëhen pjesë e çimentimit të pandëshkueshmërisë në këtë rast.

“SPAK-u, prej disa javësh, po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK-u ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit”, tha Bardhi.

Sipas tij, SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku.

“Të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë, t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, u shpreh Bardhi.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›