Bardhi: SPAK të bëjë drejtësi të barabartë, transparente dhe pa vija të kuqe

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot lidhur me dosjen e SPAK ku u arrestua drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se, “procedimi penal nr. 26, datë 07.02.2024 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vënë në pikëpyetje serioze kredibilitetin e sistemit të reformuar të drejtësisë në vend dhe ka vetëm një mënyrë për të vazhduar të ruhet besimi i publikut tek drejtësia: Drejtësi e barabartë, transparente dhe pa vija të kuqe”.
“Drejtësia selektive, që merr në mbrojtje disa prokurorë, në emër të vëllazërisë institucionale apo lidhjeve të forta politike, rrënon në mënyrë përfundimtare besimin e publikut tek SPAK”, theksoi Bardhi.
“Personalisht jam i shokuar nga të dhënat e përfituara nga hetimi i deritanishëm i kësaj çështje, që provon edhe njëherë se filtrit të vettingut i kanë shpëtuar një dyzinë prokurorësh e gjyqtarësh të korruptuar. Është detyrë e SPAK dhe GJKKO, që pa fshehur të dhënat, me kurajo dhe një hetim të plotë e të gjithëanshëm, të përmbushin misionin për pastrimin e drejtësisë nga prokurorët e gjyqtarët e korruptuar”, nënvizoi Bardhi.
Për fat të keq, shtoi ai, “të dhënat e deritanishme të hetimit të kësaj çështje, ngrenë dyshime të arsyeshme se po funksionon vëllazëria institucionale apo mbrojtja e prokurorëve me lidhje të forta politike”.
Kreu i grupit parlamentar të PD u shpreh se, “SPAK është vënë edhe njëherë në një provë serioze nëse do sjell atë që presin qytetarët e ndershëm të këtij vendi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, apo do jetë selektiv dhe institucion me vija të kuqe. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është jetike për të ardhmen e Shqipërisë”.
/a.f/