Bardhi letër Nikollës: Po deformohet qëndrimi, të zbatohet vendimi i Kushtetueses për mandatin e deputetes Xhaçka

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar serish me një tjetër letër Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhacka.
Në letrën që mban firmën e Kryetarit të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se është deformuar qëndrimi i Këshillit të Legjislacionit dhe se nuk ka asnjë adresim prej tij të asnjë çështje për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Sipas tij, mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese krijon bindjen në opinionin publik se po i ofrohet mbrojtje politike e paprecedentë një deputeteje.
Sinjali për Prokurorinë e Përgjithshme sipas grupit parlamentar është që të mos hetohet deputetja e mazhorancës dhe familja e saj për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike.
Ndër të tjera Kryetari i grupit parlamentar të PD, thekson se “nëse nga ana juaj si Kryetare e Kuvendit është përkrahur këshilla e 5 anëtarëve të mazhorancës, për të zvarritur këtë çështje, atëherë ju keni patur detyrimin kushtetuese dhe ligjor, që çështjen ta transferonit menjëherë për shqyrtim pranë Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të thërrisnit mbledhjen e këtij Këshilli. Është fakt, që për 1 vit e 2 muaj, si dhe veçanërisht që nga Korriku 2023 ku ka përfunduar puna e Këshillit të Legjislacionit, ju nuk keni ndjekur asnjërën nga procedurat e mësipërme.” – thuhet në letrën zyrtare drejtuar Kryetares së Kuvendit.
Gjithashtu, Bardhi duke i risjell në vëmendje Kryetares së Kuvendit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe nga ky detyrim kushtetues e ligjor nuk bën përjashtim as Kuvendi dhe as Kryetari i Kuvendit, se sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese “Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal”, duke ju referuar kështu neneve 320 dhe 320/a të Kodit Penal.
Bardhi i kërkon Kreut të Kuvendit, Nikollës që të zgjedh nëse duhet të thërras mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ose të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por pa asnjë vonesë të mëtejshme.
“Mazhoranca socialiste duhet të heq menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutës për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës. Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status.” – përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.
/rtsh.al/