Bardhi reagon për raportin e Komisionit Europian

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës për vitin 2026.
Bardhi nënvizon se “raporti konfirmon zyrtarisht se Rama e ktheu Kuvendin në mburojë personale për bashkëpunëtoren e tij, të akuzuar për 1.1 miliardë euro abuzime me tenderat”.
Sipas tij, raporti konfirmon njëkohësisht se opozita qëndroi aty ku duhej: në krah të ligjit dhe kundër korrupsionit.
Ai shton se KE shprehet qartë se refuzimi i Kuvendit për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK-ut, cenon parimet e kontrollit dhe balancës, si edhe barazinë përpara ligjit.
“Raporti dokumenton gjithashtu se, paralelisht me refuzimin e kërkesës së SPAK-ut, mazhoranca, me firmën edhe të Edi Ramës, propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra. Njësoj si opozita, edhe Komisioni Evropian arrin në përfundimin se këto ndryshime pengojnë hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ushqejnë pandëshkueshmërinë”, thekson Bardhi.
“SPAK ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon sot Brukseli në çështjen Balluku: t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi.
/m.q/j.p/