E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi ‘sfidon’ mazhorancën: 2.2 mln lekë të vjetra çon në shtëpi një gjyqtar

Vijojnë diskutimet lidhur me pagat e gjyqtarëve edhe në Kryesinë e Kuvendit, përkatësisht në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, Kuvendi ka shkelur urdhrin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne themi nuk ka rëndësi çfarë thotë gjykata, vijmë në Kuvend dhe propozojmë ndryshe. Se kështu duam ne dhe hyjmë në terrenin e cenimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Mund të ulet paga e presidentit, ministrave, nëpunësve civilë, por magjistrati ka garanci të shprehur në Kushtetutë. Është pjesë thelbësore e statusit të tij, nëse do varej nga humori i deputetëve, nuk do të kishte më gjyqësor të pavarur”, argumentoi ai.

Sipas tij, duhet miratuar sa më shpejt një ligj, në mënyrë që çështja të mos zvarritet. Më tej vuri theksin te mungesa e një studimi apo analize në relacionin shoqërues të projektligjit.

“Sot një gjyqtar në shkallë të Parë në sistem, merr pagë në dorë gjithsej 2.2 milionë lekë të vjetra. Kaq çon sot në shtëpi një gjyqtar dhe prokuror që nxjerr drejtësi për shqiptarët. Se kam parë ca tabela të kryeministrit, që nuk e di kush ia bën…Më pak se drejtori i AKSHI-t”, shtoi Bardhi.

“Në 10 vite, propozoni rritje me 85 mijë lekë të vjetra”, u tha ai socialistëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›