Bardhi zbardh takimin me dyer të mbyllura në Kryesinë e Kuvendit me Nancy Vanhorn

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn.
Takimi është zhvilluar në nisje të sesionit të ri parlamentar dhe në fokus ka qenë aktualiteti politik, axhenda e Kuvendit dhe prioritetet që priten të shoqërojnë punën parlamentare në këtë sesion.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
“Në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, pata kënaqësinë të mirëpres të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, znj. Nancy VanHorn, me të cilën diskutuam mbi aktualitetin e axhendës së Kuvendit, prioritetet që kemi përpara dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona”, shkruan Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së e cilësoi Shtetet e Bashkuara një aleat strategjik të Shqipërisë dhe vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të NATO-s.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë. Jemi krenarë që qëndrojmë së bashku si aleatë në NATO dhe të vendosur për të vijuar forcimin e partneritetit tonë të ngushtë dhe të qëndrueshëm”, shprehet Bardhi.