E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha: Jo, amnistisë për zyrtarët e korruptuar, po amnisti për qytetarët e varfër

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me simpatizantët e tij në degën 9 në kryeqytet nga ku u shpreh se, “forca e tij politike është kundër amnistisë për zyrtarët e korruptuar dhe pro amnistisë për “qytetarët e goditur në kufijtë dhe sgripset e pamundësive”.

“Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë. Ne kemi qëndrime të qarta për drejtësinë dhe në mbështetje të drejtësisë. Po, mbështetje SPAK-ut për të hetuar pushtetarët e korruptuar dhe për t’i vendosur ata para ligjit. Jo, amnistisë për zyrtarët e korruptuar, po amnistisë për qytetarët e goditur në kufijtë dhe sgripset e pamundësive. Jo atyre të cilët kanë abuzuar me pasuritë dhe pronat e shqiptarëve, po protestuesve që kanë protestuar për shtëpitë e tyre nga Bregu i Lumit këtu në zonën tuaj, deri në Astir. Nga Shkoza e anembanë Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Sipas tij, këto janë qëndrime të qarta dhe paekujvoke dhe t’i dëgjojnë të gjithë shqiptarët dhe ta kuptojnë se kush është në krahun e tyre dhe nuk ka frikë ta thotë, e kush mërmërit dhe i bën bisht përgjigjeve sepse i shërben interesave të ngushta personale.

Përballja me Edi Ramën dhe qeverinë e tij kërkon kurajo, theksoi Basha, kërkon qartësi, kërkon vendosmëri.

“Ndaj jemi këtu për t’i thënë Po vetingun të politikanëve, kontrollit të figurës të tyre dhe lidhjeve të papërshtatshme dhe pasurisë së tyre dhe nxjerrjen jashtë politikës të çdokujt që nuk e kalon testin e vetingut të politikanëve. Jemi këtu për t’i thënë jo imunitetit të deputetëve. Deputetët e Shqipërisë njësoj si qytetarët e Shqipërisë duhet të zhvishen nga imuniteti dhe të dalin para ligjit sa herë që e lyp drejtësia, si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë” tha ai.

Sakaq sipas tij, “ne kemi qëndrime të qarta dhe të prera. Po listave të hapura, në mënyrë që ata që shqiptarët dëshirojnë t’i kenë në parlament dhe i votojnë t’i kenë në parlament, të jenë në parlament. Dhe jo listat e caktuara nga kryetarët e partive sipas pakteve që i kushtuan shqiptarëve ndryshimet famëkeqe të 2008-ës me anë të së cilës u asgjësua e drejta e qytetarëve për të çuar drejtpërsëdrejti dhe për të marrë dhe për të dhënë llogari tek përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›