E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Ministrat socialistë kanë shumëfishuar pasurinë përgjatë këtyre viteve të qeverisjes

Kryetari i PD në opozitës Lulzim Basha ka akuzuar ministrat socialistë për pasurim gjatë viteve të qëndrimit në pushtet. Gjatë një deklarate për mediat para selisë së partisë se tij ai tha se ndërsa qytetarët vuajnë krizën ekonomike dhe përmbytjet, ministrat dhe jo vetëm socialiste darkojnë aty ku kushton 1000 dollarë një biftek. Zoti Basha i referohet një raporti sipas të cilit anëtarët e kabinetit kanë shumëfishuar pasurinë përgjatë këtyre viteve qeverisëse.
“Dy ditë më parë u bë publike se si kur e gjithë Shqipëria ishte përmbytur, qindra e mijëra qytetarë kishin ngelur në çadra, ministrat e Edi Ramës po darkonin në një nga restorantet më të shtrenjta të botës. 1000 dollarë bifteku. Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës më të thellë të këtyre viteve” tha zoti Basha.
“Rama nuk ka turp, por para ka shumë. Dje u publikua një raport ku thuhet se anëtarët e kabinetit kanë shumëfishuar pasurinë përgjatë këtyre viteve qeverisëse. Aty u interesojnë paratë dhe jo qytetarët, nuk i kanë në listë. Qeveritarët darkojnë me fatura të kripura 1 mijë dollarë bifteku. Nuk janë kujdesur për qytetarët, kanë harruar se cili është misioni i qeverisë” tha më tej zoti Basha.
“Ky është një kryeministër që mendon vetëm për paratë e veta dhe jo për ju të dashur qytetarë. Është koha për ndryshim dhe një qeveri që të mendojë për ju, për hallet e tuaja, për problemet tuaja. Është koha që qeveritarët që abuzojnë me ju dhe me të ardhurat tuaja të shkojnë përpara drejtësisë” tha kreu i PD.
Deklaratat e zotit Basha vijnë ndërsa zyrtarë të lartë socialistë e kanë akuzuar atë se ka shumëfishuar pasurinë e tij pikërish gjatë kohës së PS në pushtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›