Basha: Pas 6 muajsh teatër e balet, pazari ishte për karrige dhe listat e mbyllura

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me strukturat e partisë në Lushnjë deklaroi se pas 6 muajsh teatër e balet, u bë pazar për karrige dhe interesa personale. Basha theksoi se pseudo-revolucioni ishte për të mbajtur listat e mbyllura.
“Sot partia Demokratike qëndron përballë një kaste politike që bën sikur zihet me njëri-tjetrin, por pas 6 muajsh teatër, është e gatshme të arrijë pazare, marrëveshje, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. I tillë është pazari që kanë bërë. Ndaj edhe javën që shkoi donin të mbysin transparencën dhe denoncimin e këtij pazari në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që nuk ia dolën. Ky është një pazar që mundohet të fshehë gjërat më të thjeshta dhe më të kuptueshme nga çdo shqiptar. 6 muaj pseudo revolucion me flakadanë! Çfarë u arrit?”, deklaron ai.
Ndaj, vazhdon Basha, “u arrit një ligj i ri për komisionet hetimore që është 10 herë më i keq se ligji i mëparshëm dhe që zhduk transparencën, zhduk aftësinë e opozitës për të mbledhur fakte e dokumenta, për të detyruar dëshmitarët e për ta bërë këtë në mënyrë transparente. Pra, jo vetëm që nuk u arrit diçka pozitive, por u humbën të drejta parlamentare, të drejta opozitare, të drejta publike që opozita i kishte. U kërkuan 8 komisione, u morën dy dhe populli me të drejtë thotë: ua bëri 8 me 2. Një prej atyre komisioneve është sa për sy e faqe, sepse siç e dini fare mirë, si mund të kërkohet një hetim parlamentar për sterilizimin, ndërkohë ministri i shëndetësisë së kohës së sterilizimit u mor i pandehur në fillim të javës nga SPAK, me një akuzë e cila rrezikon të shkojë deri në 4 vite burg. Atëherë për çfarë e kërkon komisionin hetimor kur prokuroria i mbaroi hetimet”?
Por sipas Kreut të demokratëve, nuk ka transparencë dhe kjo bëhet vetëm për një arsye, për të fshehur të vërtetëtn.
“Nuk ka transparencë, ka një lojë, ka një balet të palëve për të fshehur të vërtetën. Po të lexosh dokumentet është e qartë se ia ashtu quajturi komision I transparencës për sterilizimin, do merret me masa administrative dhe ndryshime ligjore. Pra ndërkohë që SPAK do ta fusë në burg Ilir Beqën për vjedhjen e sterilizimit, këta do të merren me masa administrative, që do të thotë se maksimumi do të propozojnë gjoba”, shtoi Basha.
/rtsh.al/