Basha: Pensionistët, të pambrojtur për shkak të favorizimit të interesave private

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh sot në një reagim ndaj takimeve të Kryeministrit Edi Rama me pensionistët, se “shfaqjet elektorale janë tallja e një politikani që prej 11 vitesh ka pasur të gjitha pushtetet në dorë për t’u përmirësuar atyre jetën, por që zgjodhi të qeverisë për t’i shërbyer veç pushtetit të tij politik dhe ekonomik”.
Sipas tij, pensionistët janë të pambrojtur dhe po përballen me varfëri për shkak të korrupsionit dhe politikave që kanë favorizuar interesat private për 11 vite rresht.
Basha theksoi se programi i demokratëve euroatlantikë synon të reformojë skemën e pensioneve, duke ofruar rritje prej 20% për pensionet dhe indeksim të përvitshëm sa dyfishi i inflacionit.
Programi parashikon gjithashtu, sipas tij, një bonus të përhershëm për pensionet e ulëta dhe rimbursim të barnave për të ulur shpenzimet e larta për ilaçe.
“Shërimi i sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike e garantuar nga ulja e taksave, mirëqeverisja dhe lufta e gjithëanshme kundër korrupsionit, do të na mundësojë t’u japim pensionistëve shqiptarë hakun e mohuar për dekada që meritojnë”, u shpreh Basha.